Thaçi e kërkon Luginën, por Kosova as abetare atje nuk mund të dërgojë

0

 

Kosova nuk ka bërë asnjë hap drejt zgjidhjes së problemit të nxënësve në Luginë lidhur me tekstet shkollore. Në tërë këtë situatë kur institucionet e Kosovës s’po mund t’u dërgojnë abetaret nxënësve të Luginës, presidenti Hashim Thaçi po pretendon bashkimin e Luginës me Kosovën. Kjo sipas Thaçit do të bëhet me anë të korrigjimit të kufijve me Serbinë. Por, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se tentimi për dërgimin e librave shkollorë për në Luginë ka rezoltuar i pasuksesshëm.

Në raportimin e tij para Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi ka thënë se janë mundur të krijojnë mundësi për dërgimin e teksteve shkolle në komunat e Luginës, por që nuk kanë pasur sukses.

Pasi u pyet nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci se a ka bërë diçka lidhur me dërgimin e librave atje, Bytyqi ka thënë se nuk dëshiron të bëjë spektakël duke i lënë librat të qëndrojnë në kufi.

Shpresa e vetme tani për nxënësit atje, për të cilët tekstet shkollore shqipe janë shumë të nevojshme, është Tirana.

Ministri ka thënë se është në pritje të një përgjigje nga kryeqyteti shqiptar  për të parë mundësinë që librat t’i dërgojnë në Luginë nga Shqipëria.

“Tekstet në Luginën e Preshevës, përtej vullnetit, dëshirës dhe asaj që edhe unë do të kisha mund me fol me emocione dhe patriotizëm, por në praktikë nuk jam person që dua të bëj spektakël, të jeni të sigurt nuk bëjë spektakël, nuk kemi bërë asnjë hap sepse nuk kemi pas mundësi të bëjmë hapa për të dërguar libra në këto komuna të cilat kanë qenë shumë të nevojshme. Unë nuk kam qenë i gatshëm që të marrë vendim që librat të rrinë në kufi për një periudhë të gjaëe e pastaj të paguajmë vetëm kosto. Pra  nuk kam dashur të bëj spektakël, jemi munduar të gjejmë alternativa, nuk ia kemi arrit, nuk kemi pas sukses. Jemi në bisedime edhe me Tiranën, nëse do të kemi ndonjë mundësi që përmes Tiranës këto libra të shkojnë, nëse edhe përmes Tiranës nuk do të arrijmë, fatkeqësisht për shkak të probleme politike, nuk do të kemi mundësi të dërgojmë libra”, tha ministri Bytyqi.

E për ketë, ai tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë në çfarëdo forme me Tiranën duke e ndihmuar me kosto dhe çdo gjë tjetër që kërkohet.

Ndër të tjera, në këtë raportim, ministri ka përmendur edhe depolitizimin e shkollave në Kosovë.

Ai shpreson që të  gjejnë mirëkuptim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe përmes një udhëzimi administrativ, të vendoset që drejtorët e shkollave mos të jenë më të përfshirë në proceset zgjedhore.

“Do ta gjejmë një mirëkuptim që besoj që është e lehtë ta kalojmë edhe me KQZ-në, që drejtorët e shkollave mos të jenë asnjëherë më në pikat menaxhuese të shkollave në ditën e zgjedhjeve, pra të largohen nga procesi zgjedhor çdo drejtor i shkollës mos të ketë asnjë rol në procesin zgjedhor. Konsideroj që janë hapat e parë drejt asaj që ne vazhdimisht jemi deklaruar që do të fillojmë procesin e depolitizimit të shkollave në Kosovë”,  tha ministri.

Bytyqi ka njoftuar edhe për fillimin e implementimit të projektit për matjen e perfomancës së mësimdhënësve, që sipas tij, është një prej të arriturave më të mëdha.

“Kemi filluar për herë të parë në Kosovë, matja e performancës së mësimdhënësve, me datën 29 shtator ka filluar projekti për matjen e performancës së mësimdhënësve, ne kemi bërë informimin publik të fillimit të këtij projekti dhe vazhdimisht jemi në kontakt me drejtorin e Inspektoratit se si po ecën fillimi i këtij projekti të rëndësishëm e deri më tani nuk kemi pas ndonjë problem”, tha Bytyqi.

Ndër të tjera, ministri bëri të ditur se viti shkollor 2017/18 është përmbyllur si i rregullt dhe pa ndonjë problematikë, ndërkohë tha se viti i ri ka filluar me rregull përveç 9 shkollave që sipas tij nisin mësimin me vonesë për shkak të rinovimit.

E për këtë, ai tha se do të bëjnë kompensimin e orëve të humbura.

Deputeti Ismajl Kurteshi shprehi shqetësimet e tij lidhur me gjendjen në kolegjet private ku tha se regjistrojnë studentë jashtë afatit ligjor.

Sipas ministrit, kolegjet që regjistrojnë studentët jashtë afatit ligjor nuk konsiderohen të regjistruar nga MASHT.

Bytyqi ka thënë se pret që në fillim të vitit 2019 të jenë përsëri pjesë e Regjistrit Evropian të Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

Share.

About Author

Leave A Reply