Selimi thotë se Qeveria nuk e ka seriozisht punën e ushtrisë

0

 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur për procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Ai ka thënë se procesi i themelimit të ushtrisë me ndryshime kushtetuese është penguar në vazhdimësi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

“Është spekulim se në vitin 2014 serbët kanë qenë të gatshëm për të votuar ndryshimet kushtetuese që do t’i hapnin rrugë formimit të ushtrisë”, është shprehur Selimi në Rtv Dukagjini.

Deputeti opozitar ka thënë se qeveria nuk e ka seriozisht punën e ushtrisë, pasi sipas tij po shihet edhe buxheti që po i ndahet FSK-së.

“FSK as tash nuk e ka të ndaluar të ketë disa armë të kalibrit të madh, nuk e ka të ndaluar as të ketë autoblinda, madje nuk e ka të ndaluar të ketë as helikopterë. Edhe buxheti për FSK-në nuk është rritur mjaftueshëm”, tha ai.

Selimi ka thënë se me ndryshime ligjore FSK nuk po bëhet ushtri, por sipas tij po avancohet roli i saj.

“Të jemi të qartë edhe para popullit, në fakt nesër nuk po bëjmë ushtrinë, por po e bëjmë ligjin e ri për FSK-në. Nesër për fat të keq nuk po e bëjmë ushtrinë, nuk po flas si opozitë për të kritikuar, thjeshtë FSK-ja po merr mandate shtesë nga ato që i ka sot”.

Duke folur për zgjedhjet e reja të mundshme Selimi ka thënë se është e qartë që opozita nuk i ka numrat, dhe se të gjithë ata që flasin ndryshe nuk e dinë matematikën e mbledhjes së numrave.

“Opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë. Madje ka edhe deputet të opozitës, siç dihet së paku një nga LDK-ja që janë kundër rrëzimit të qeverisë”, deklaroi Selimi.

Share.

About Author

Leave A Reply