Vushtrria bëhet me qendër moderne të rinisë

0

 

Qyteti i Vushtrrisë tani do ta ketë qendrën e rinisë, investim i MKRS-së në një vlerë prej 280 mijë eurosh. Në ceremoninë përuruese të objektit mori pjesë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministri Gashi u shpreh se ky investim i Ministrisë është një prej investimeve më të rëndësishme sepse është bërë për të rinjtë e Vushtrrisë me rrethinë, duke e cilësuar si një vatër dhe institucion i të rinjve dhe të rejave dhe që do të përdoret për realizimin e aktiviteteve të shumta dhe për inovacion. “Ne si ministri kemi investuar 280 mijë euro për këtë objekt, i cili po ashtu është një prej investimeve më të rëndësishme në kuadër të Departamentit të Rinisë, për shkak se kemi pas mundësi, dhe të rinjtë tanë me shumë ide kreativitet, e angazhim të madh po e mbajnë të gjallë frymën rinore në Kosovë e veçanërisht në Vushtrri”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi, duke theksuar se ky nuk do të jetë investimi i vetëm që MKRS-ja është duke bërë në Vushtrri.

“Ky objekt është një hapësirë që do të shfrytëzohet nga të rinjtë vushtrrias e që e dimë se kanë kapacitet për kreativitet e inovacion”, ka thënë ministri.

Ministri Gashi gjatë fjalës së tij në ceremoni foli edhe për planin e Ministrisë për ta krijuar një fond të veçantë për të rinjtë me qëllim të ndihmesës së tyre për të realizuar projektet që ata planifikojnë. “Për herë të parë në vitin 2019 do ta fillojmë një program të madh për të rinj e quajtur Fondi Rinor, e kostoja do të jetë e madhe, dhe ka për qëllim mbështetjen e të gjithëve, të rinjve, e veçanërisht të rinjve ndërmarrës”, tha ministri.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se ky objekt do të jetë shtëpia e të rinjve vushtrrias. “Kjo është shtëpia e të rinjve të Vushtrrisë. Do të jetë një objekt që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. Nga sot të rinjtë e Vushtrrisë kanë shtëpinë e tyre, kanë adresën e tyre”.

Share.

About Author

Leave A Reply